Shqipëria nuk po përfiton nga tregu i lirë me BE, industria humbet terren
Komisioni Europian ngre shqetësimin për dobësimin e industrisë shqiptare, pavarësisht aksesit në tregun e BE-së.

Shqipëria ka siguruar prej vitesh akses preferencial në tregun e Bashkimit Europian, por nuk ka arritur ta shfrytëzojë atë për të zhvilluar një industri prodhuese konkurruese dhe për të rritur në mënyrë të qëndrueshme eksportet e mallrave. Ndërsa 72.5% e eksporteve shqiptare të mallrave drejtohen në vendet e BE-së, industria përpunuese po humbet peshë në ekonomi dhe eksportet e saj kanë rënë për të tretin vit radhazi.
Raporti i Progresit 2026 i Komisionit Europian evidenton se Shqipëria ka një nivel të lartë integrimi tregtar me BE-në, por përfitimet ekonomike janë kufizuar nga produktiviteti i ulët, mungesa e inovacionit dhe përqendrimi i prodhimit në aktivitete me vlerë të shtuar të kufizuar.
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, që hyri në fuqi në vitin 2009, i ka mundësuar Shqipërisë tregti pa tarifa doganore për shumicën e mallrave me BE-në. Liberalizimi tregtar kishte nisur edhe më herët, duke u dhënë bizneseve shqiptare mundësinë të shesin produktet e tyre në një nga tregjet më të mëdha dhe me fuqi blerëse më të lartë në botë. Megjithatë, sipas Raportit të Progresit, aksesi në tregun europian nuk është shoqëruar me një transformim të ngjashëm të strukturës prodhuese të vendit.
Industria zbret në 10.1 për qind të PBB-së, ndërtimi rrit peshën në ekonomi
Në vitin 2025, pesha e industrisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) zbriti në 10.1%, ndërsa industria përpunuese përfaqësonte vetëm 6.5% të ekonomisë. Në të kundërt, sektori i ndërtimit e rriti peshën në 12.6% të PBB-së, nga 11.9% që ishte një vit më parë.
Kjo strukturë pasqyron një orientim gjithnjë e më të madh të aktivitetit ekonomik drejt sektorëve që mbështeten kryesisht në kërkesën e brendshme, pasuritë e paluajtshme dhe shërbimet, ndërsa aktivitetet prodhuese të orientuara drejt tregjeve ndërkombëtare po përballen me vështirësi në rritje.
Komisioni Europian vlerëson se rënia e eksporteve të industrisë përpunuese për tre vite radhazi nuk përbën vetëm një zhvillim ciklik, të lidhur me dobësimin e përkohshëm të kërkesës, por sinjalizon probleme më të thella strukturore të ekonomisë shqiptare.
Produktiviteti i ulët dhe mungesa e inovacionit dobësojnë konkurrueshmërinë
Një pjesë e rëndësishme e prodhimit shqiptar mbetet e përqendruar në aktivitete që mbështeten te kostot relativisht të ulëta të fuqisë punëtore, në vend të teknologjisë, inovacionit dhe produkteve me vlerë të shtuar të lartë. Ky model është bërë gjithnjë e më pak konkurrues përballë rritjes së pagave dhe forcimit të monedhës vendase.
Sipas Komisionit Europian, mbiçmimi i lekut dhe rritja e kostove të punës kanë dëmtuar konkurrueshmërinë e çmimeve të produkteve shqiptare në tregjet e jashtme. Ndikimi ka qenë veçanërisht i fortë në industrinë e tekstileve dhe këpucëve, ku një pjesë e madhe e prodhimit realizohet për porositës europianë.
Forcimi i lekut ul të ardhurat në monedhën vendase për kompanitë që faturojnë në euro, ndërsa shpenzimet për paga dhe një pjesë e kostove operative vijojnë të paguhen në lekë. Për sipërmarrjet me marzhe të ulëta fitimi, kjo situatë e vështirëson ruajtjen e konkurrueshmërisë dhe financimin e investimeve të reja.
Raporti evidenton se produktiviteti i ulët, kapacitetet e kufizuara për inovacion dhe pjesëmarrja e dobët e bizneseve shqiptare në segmentet me vlerë të lartë të zinxhirëve europianë të prodhimit po kufizojnë potencialin e konvergjencës ekonomike të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Eksportet e shërbimeve dyfishohen, ndërsa prodhimi industrial humbet terren
Në vend që integrimi tregtar të shoqërohej me zgjerimin e industrive që prodhojnë për tregun europian, ekonomia shqiptare po mbështetet gjithnjë e më shumë te eksportet e shërbimeve.
Sipas Komisionit Europian, eksportet e shërbimeve, veçanërisht ato të lidhura me udhëtimet dhe turizmin, janë dyfishuar ndërmjet viteve 2019 dhe 2024 dhe tashmë përfaqësojnë rreth 80% të eksporteve totale të vendit. Kjo ecuri pozitive ka bashkëjetuar me dobësimin e eksporteve të mallrave, duke krijuar një diferencë gjithnjë e më të madhe ndërmjet performancës së sektorit të shërbimeve dhe atij prodhues.
Për pasojë, Shqipëria po e realizon gjithnjë e më shumë integrimin ekonomik ndërkombëtar nëpërmjet turizmit dhe shërbimeve, ndërsa prodhimi industrial nuk po arrin të përfitojë në të njëjtën masë nga mundësitë që ofron tregu europian.
Shqipëria pa progres në përafrimin e standardeve të mallrave me BE-në
Përtej dobësive të sektorit prodhues, Shqipëria vijon të ketë probleme edhe në përgatitjen për funksionimin e plotë brenda tregut të përbashkët europian. Në Kapitullin 1, që lidhet me lëvizjen e lirë të mallrave, Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria nuk ka bërë progres në përafrimin e legjislacionit gjatë periudhës së raportimit.
Legjislacioni për akreditimin, vlerësimin e përputhshmërisë dhe mbikëqyrjen e tregut mbetet vetëm pjesërisht i përafruar me standardet europiane. Këto mangësi ndikojnë në përgatitjen e institucioneve dhe bizneseve shqiptare për të përmbushur kërkesat e tregut të përbashkët të BE-së.
Në shtator 2025, kërkesa e Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit për anëtarësim të plotë në organizatat europiane CEN dhe CENELEC u refuzua, pasi legjislacioni i harmonizuar me BE-në nuk ishte plotësisht në fuqi dhe nuk zbatohej në mënyrë efektive.
Inspektimet e tregut bien me rreth 400, mbikëqyrja mbetet e kufizuar
Edhe kapacitetet e mbikëqyrjes së tregut mbeten të kufizuara. Sipas Raportit të Progresit, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut kreu 895 inspektime gjatë periudhës së raportimit, rreth 400 më pak se në periudhën paraardhëse.
Përafrimi i standardeve teknike, të sigurisë dhe cilësisë së produkteve ka rëndësi për aftësinë e bizneseve shqiptare për të konkurruar në tregun europian. Aksesi preferencial në aspektin doganor nuk i përjashton produktet shqiptare nga detyrimi për të përmbushur kërkesat përkatëse teknike dhe rregullatore të Bashkimit Europian.
BE-ja përthith 72.5 për qind të eksporteve shqiptare të mallrave
Në vitin 2025, Bashkimi Europian përfaqësonte 57% të tregtisë totale të mallrave të Shqipërisë, duke përthithur 72.5% të eksporteve dhe duke furnizuar 51% të importeve. Këto të dhëna konfirmojnë rolin dominues të tregut europian në marrëdhëniet tregtare të vendit.
Megjithatë, pavarësisht këtij integrimi të lartë tregtar dhe mundësive që ofron Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, ekonomia shqiptare nuk ka arritur ende të ndërtojë një bazë prodhuese që të përfitojë në mënyrë të qëndrueshme nga madhësia dhe potenciali i tregut europian.
Sipas Raportit të Progresit 2026, dobësimi i industrisë përpunuese, produktiviteti i ulët, mungesa e inovacionit dhe vonesat në përafrimin e standardeve teknike mbeten ndër pengesat kryesore që kufizojnë aftësinë e Shqipërisë për të shfrytëzuar plotësisht mundësitë ekonomike të integrimit me Bashkimin Europian.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)